Monthly Archives

Shtator 2019

Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror pasurohet nga Akademia e Shkencave

By | Uncategorized | No Comments

Akademia e Shkencave pasuroi sot Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror duke i dhuruar dhjetra libra. Në këtë dhurim të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, akademiku Vasil Tole, studiuesi Irakli Koçollari dhe stafi i Bibliotekave të dy institucioneve.

Akademiku Vasil Tole shprehu kënaqësinë që ndodhej në mjediset e Dpa-së, për këtë xhest simbolik të dhurimit të librave shkencor, që akademikët përgjithësisht, studiuesit shqiptarë botojnë përmes entin botues të Akademisë së Shkencave. “Është kënaqësi dhe një shenjë e qartë e bashkëpunimit afatgjatë që Akademia e shkencave si institucion, ish institutet në varësi të saj por dhe akademikët sot kanë në Arkivin Qendror të Shtetit në të gjitha nivelet, jo vetëm në Tiranë, po kudo ku ka Arkiva në Shqipëri, pasi gjykojmë që edhe këto vepra do të ishin të pamundura që të krijoheshin, për më tepër pastaj të botoheshin pa kontributin dhe veprimtarinë e Arkivave të Shqipërisë dhe posaçarisht të dokumentacionit që administrohet në këto Arkiva” -tha akademiku Vasil Tole.

Z.Tole falenderoi z.Bido dhe të gjithë punonjësit e Arkivave që po u krijojnë kushte studiuesve për t’i shfrytëzuar këto dokumente dhe theksoi se ky nuk është dhurimi i fundit por është thjesht një hap që Akademia e Shkencave dhe sektori përkatës i botimeve në Akademi bën për këto dhurime.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z.Ardit Bido, i shprehu mirënjohjen z. Tole për dhurimin e librave për bibliotekën, duke e pasuruar më tej atë.

“Dua të falenderoj profesor Vasil Tolen dhe profesor Irakli Koçollarin për këtë ndihmesë të vazhdueshme që Akademia e Shkencave bën për Arkivin Qendror Shtetëror. Dhurimi i këtyre librave vjen në fakt në kuadër të diçkaje shumë të rëndësishme që është krijimi i një Biblioteke Qendrore në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ku të gjithë studiuesit jo vetëm të kenë mundësi që të ndjekin dhe të shohin dhe të studiojnë materialin arkivor por dhe materialin bibliotekar”-u shpreh z.Bido. Ndërsa shtoi se Biblioteka ka qenë një magazinë librash deri më tani në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Proçesi i punës është në fazën finale ku thuajse klasifikimi ka përfunduar po përgatisim software dhe besoj për shumë shpejt mbase në dhjetor – janar do të jetë e aksesueshme për studiuesit, që në çastin që vijnë në sallën e studimit mund të porosisin dosje arkivore por njëkohësisht të mund të porosisin edhe libra” -tha z.Bido.

Studuesi Irakli Koçollari tha në fjalën e tij se Arkivi ka në thelbin e tij materialet unike në vlerat e tyre, dokumente që fillojnë që nga dorëshkrime deri në dokumentet më të rralla, që gjenden vetëm në Arkiv dhe askund tjetër.

“Ky dokumentacion që gjendet në Arkiv, një pjesë e tij natyrisht është përpunuar, kur themi është përpunuar, është marrë nga studiues, nga shkencëtar të fushës përkatëse dhe e ka sjell atë jo më një si një dokument të vetëm dhe unik por dhe të lidhur me shumë sfonde të tjera të caktuara, siç është sfondi historik, persona dhe personalitete, në tërësi e shkëput nga mëvehtësia dokumentin dhe e bën atë të lidhur me sfondin historik të shumë ngjarjeve dhe të shumë fenomeneve. Fondi sigurisht këtu është i pafund, që është këtu dhe askund tjetër, por një pjesë e tij siç edhe e thash është përpunuar në tematika dhe subjekte të caktuara, dhe në këtë mënyrë studiuesit e gjejnë jo vetëm si një dokument të vetëm por edhe të përpunuar, të unifikuar, në një produkt të gatshëm. Ndaj është e nevojshme dhe prania e studimeve dhe burimeve dytësore krahas burimeve parësore historike, për të krijuar një lehtësi dhe qartësi në interpretimin e dokumenteve historikë”-tha studiuesi z.Koçollari.

Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror administron dhe ruan mbi 10.000 libra. Natyra e librave në bibliotekë është e larmishme, midis tyre gjenden Enciklopedi, libra historikë, fetarë, fjalorë, fletore zyrtare, metoda, etj. Librat janë të viteve të ndryshme, ata më të hershmit janë klasifikuar tek fondi i librave të rrallë dhe ruhen në Dhomën e Fortë të AQSh. Gjuha e librave është e ndryshme, ka në italisht, frengjisht, greqisht, latinisht, osmanisht, etj. Kjo bibliotekë ka një traditë pasurimi përmes studiuesve të cilët shfrytëzojnë sallën e AQSh për studimet e tyre. Në nxjerrjen në dritë të botimeve këta studiues dhurojnë një kopje në bibliotekën e AQSh.

Krahas pasurimit të vazhdueshëm të Bibliotekës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave po punohet çdo ditë për inventarizimin digjital dhe për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, me synimin që Biblioteka të jetë më e lehtë e aksesueshme në shfletimin e informacionit bibliografik.

Thirrje për Trajnim Arkivor

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ju bën thirrje të gjithë nëpunësve të institucioneve shtetërore por dhe individëve të tjerë të interesuar për punën me dokumentet, për të marrë pjesë në seminarin që do të zhvillohet për punën në arkiv – protokoll, nga data 21 Tetor 2019 deri më 1 Nëntor 2019.

Ky seminar ka për qëllim ngritjen profesionale dhe shkencore të punonjësve të sekretari-arkivave të institucioneve shtetërore qëndore dhe vendore, për njohjen dhe zbatimin e Ligjit “Për Arkivat’’ si dhe “Norma tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë”.

Temat kryesore që do të trajtohen  në këtë seminar do të jenë jenë:

1- Njohje me Ligjin “Për arkivat” dhe “Norma tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republiken e Shqipërisë”.

2- Evidentimi i dokumenteve, qarkullimi dhe sigurimi i tërësisë së tyre në sekretari, si dhe mjetet e evidentimit.

3- Klasifikimi,sistemimi i dokumenteve arkivore, kriteret e klasifikimit, skemat e klasifikimit, kriteret e krijimit të njësive të ruajtjes, përshkrimi, renditja, inventarizimi dhe dorëzimi i dokumenteve .

4- Ekspertiza e vlerës së ruajtjes së dokumenteve, përmbajtja, qëllimi, parimet, kriteret, dhe organizimi i punës për kryerjen e saj.

5- Përpilimi i shkresave zyrtare si dhe rregullat për krijimin dhe zbatimin e elementëve të dokumentit.

6- Faktorët dëmtues të dokumenteve, mbrojtja dhe kushtet e ruajtjes e tyre

7 -Teknologjia dixhitale, dixhitalizimi i dokumenteve

8- Praktikë: njohuritë e marra në leksione dhe zbatimi i tyre në proceset e punës arkivore.

Në përfundim të seminarit pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatën përkatëse. Për të marrë pjesë mund të aplikoni nëpërmjet emailit në  dpa@arkiva.gov.al deri më 10 tetor 2019.

Të gjithë të kualifikuarit që do të vazhdojnë këtë seminar do të njoftohen individualisht po nëpërmjet emailit.

Ekspozitë e DPA-së: Zemër Shqiptare, Shën Tereza na bashkon!

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, me rastin e 22 vjetorit të ndarjes nga jeta e Nënë Terezës, duke përkuar dhe me 5 shtatorin, Ditën e Shenjtërimit të saj, hapi ekspozitën “Zemër Shqiptare, Shën Tereza na bashkon – 22 vjet pas kalimit në amshim të Shën Terezës”.

Ky projekt vjen në bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjishme të Arkivave, Kalasë së Tiranës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në ekspozitë u shpalosën dokumente dhe fotografi nga aspekte interesante të jetës dhe veprës së Shën Terezës.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm, përgjegjësja e Promovimit dhe Komunikimit në DPA Elsa Saka, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Andi Seferi, administratorja e Kalasë së Tiranës Klodjana Toptani, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylë Ukshini, nga Kisha ortodokse Arkimandrit Kozma Prifti, etj.

Shën Tereza, humanistja shqiptare, nobelistja, misionarja e jashtëzakonshme, e bekuara e Vatikanit, e cila çdo ditë të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë, kujtohet në këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur deri të dielën, më 8 shtator, në ambientet e Kalasë së Tiranës.