Monthly Archives

Tetor 2019

DPA çel ekspozitën me botime të revistës “Hylli i Dritës”

By | Uncategorized | No Comments

Me rastin e 106 vjetorit të botimit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ekspozoi sot në mjediset e Kalasë së Tiranës një pjesë të numrave të revistës së themeluar nga At Gjergj Fishta në tetor të vitit 1913.

Ekspozita vjen në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Kalanë e Tiranës. Të pranishëm në prezantimin e saj ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, zëvendësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtare znj. Etleva Domi, Frati Françeskan At Vitor Demaj dhe administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani.

Pjesëmarrësit panë me interes koleksionin që ruhet në Bibliotekën e DPA-së dhe në Bibliotekën Kombëtare. Për të gjithë të interesuarit që duan të shohin nga afër revistën e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin kulturor të Shqipërisë, ju bëjmë me dije se ekspozita do të jetë e hapur edhe nesër.

DPA nis digjitalizimin e fondit arkivor të “Komunitetit Katolik në Shqipëri”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me Komunitetin Katolik në Shqipëri. Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve për të digjitalizuar dokumentet arkivore të Komunitetit Katolik në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe Ipeshkvi Gjergj Meta.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tregoi se kjo marrëveshje konsiston në digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit të Komunitetit Katolik në Shqipëri dhe të çdo materiali tjetër që është krijuar për Komunitetin Katolik që ndodhet në Fondet Arkivore.

“Në rradhë të parë është korigjimi i një padrejtësie historike përmes një vije të përbashkët ku i gjithë dokumentacioni i cili është sekuestruar komuniteteve fetare iu rikthehet atyre tashmë në formë digjitale ndërkohë që kopja origjinale ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, ku ekzistojnë kushtet e nevojshme të ruajtes së saj” tha Dr. Bido.

Gjithashtu Dr. Bido theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të sigurojë teknologjinë dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e procesit të digjitalizimit dhe të depozitimit të dokumenteve, ndërsa Komuniteti Katolik do të vërë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, persona nga stafi i tij me qëllim skanimin e dokumenteve.

Ipeshkvi Gjergj Meta vlerësoi shumë këtë moment si një hap i mjaft të rëndësishëm. Ai përshëndeti iniciativën e ndërmarrë dhe për këmbënguljen për të gjetur një zgjidhje.

“Kjo është një padrejtësi që i është bërë arkivave të Kishave Katolike, duke u konfiskuar, tani po riparohet në një farë mënyre, nëpërmjet kësaj rruge të ndërmjetme, që është digjitalizimi. Duhet thënë një fakt, sikurse thotë një shprehje, ‘Jo çdo e keqe vjen për të keq’, në fakt falë Arkivit Qendror Shetëror shumë dokumente janë ruajtur” u shpeh Ipeshkvi Gjergj Meta.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, Dokumentet do të skanohen sipas parimeve tekniko-profesionale arkivore, në nivel Fondi, Viti, Dosje dhe Fletë.

Nisi sot seminari për punën në sekretari – arkiv

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sot nisi seminarin e radhës për punën me dokumente në sekretari dhe arkiv.

Pjesëmarrësit në këtë seminar do të zgjerojnë njohuritë e tyre në teori dhe në praktikë për organizimin dhe funksionimin e arkivave. Do të njihen me Ligjin “Për Arkivat” dhe “Normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republiken e Shqipërisë”, me evidentimin e dokumenteve, klasifikimin, digjitalizimin e tyre, vlerën e ruajtjes së dokumenteve si dhe me përpilimin e shkresave zyrtare. Gjithashtu do të informohen mbi faktorët dëmtues të dokumenteve, mbrojtjen dhe kushtet e ruajtjes së tyre.

Gjatë këtyre ditëve do të ketë seminare në teori dhe në varësi të temave do të zhvillohet aplikimi i tyre dhe në praktikë prej specialistëve të DPA-së. Trajnimi do të zgjasë dy javë, deri më 1 nëntor. Pjesëmarrës janë të gjithë ata që kanë aplikuar paraprakisht për t’u trajnuar.