All Posts By

Egi Promo

Studentët njihen me trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri

By | Uncategorized | No Comments

Sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave u zhvillua seminari i Shkollës Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin.

Përmes leksioneve dhe referateve studentët u njohën me dokumente në gjuhën greke. Ata panë nga afër kodikët të cilët ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

Nga pedagogu Andi Rembeci, përgjegjës dhe koordinator i Shkollës Verore ndoqën leksionin “Duke shfletuar Bizantin nga Shqipëria: Kodikë-Tekste-Art”, kurse profesor Agamemnon Tselikas, autoritet botëror në Paleografi, ligjëroi në temën “Vështrim mbi të dhënat arkivore bizantine dhe dokumente të diplomatikës”.

“Jemi në një institucion shumë të rëndësishm, jemi në mjediset e Arkivit, që është zemra e historisë së çdo shteti. Nga këtu ku jemi ju mund të kuptoni rëndësinë dhe vlerën që ka ky mjedis dhe se çfarë do të thotë që ju të studioni materiale që doni” u shpreh profesor Agamemnon Tselikas.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjthshme të Arkivave Dr.Ardit Bido në fjalën e tij përshëndetëse tha se dyert e Arkivit janë gjithnjë të hapura për cilindo studiues, pasi Arkivi është pjesa thelbësore e kërkimit shkencor.

“Arkivi Qendror Shtetëror është një arkiv i cili është krijuar vonë, në vitin 1948 dhe si rrjedhojë dhe materialet që ne disponojmë në numër është shumë i vogël, në krahasim me arkivat e tjera analoge të vendeve të tjera perëndimore. Nuk kemi dokumentacion mjaftueshëm përpara vitit 1912 por kemi dokumentacion përpara ’12 të vogël por sifinjikativ, kemi një ndër kodikët më të vjetër që ekziston në botë, kodikun e purpurt të Beratit, i cili është pjesë e trashëgimisë botërore. Edhe pse kemi dokumentacion të pakët mund të themi se kemi dokumentacion të pasur dhe ndonjëherë është cilësia e cila ka më shumë vlerë se sa sasia” tha Dr.Bido.

Kjo shkollë organizohet për të tretin vit radhazi nga Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis dhe National Bank οf Greece Cultural Foundation.

DPA nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën “Papa Klementi XI Albani”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI Albani” në Suedi. Marrëveshja si qëllim ka bashkëpunimin midis dy institucioneve në fushën e botimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe kulturore.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Trajnimit z.Endrit Musaj tha se ndihej i lumtur që pas takimit dhe njohjes me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “Papa Klementi XI Albani” në Konferencën e III Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shkup po ndërmerret ky hap cilësor për bashkëpunim. “Kjo marrëveshje ka të bëj me hulumtime, botime, simpoziume, veprimtari të përbashkëta, qoftë në Shqipëri, Suedi apo Kosovë. Uroj që kjo marrëveshje nuk do të jetë vetëm formale dhe të ngelet në letër por të konkretizohet me punë” u shpreh z.Musaj.

Kryetar i shoqatës “Papa Klementi XI Albani” z.Hysen Ibrahimi falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për mirëpritjen dhe për këtë bashkëpunim shumë të sinqertë. “Marrëveshja e bashkëpunimit mes institucioneve ka të bëj dhe me shkëmbimeve të ndryshme të materialeve të arkivistikës apo punëve studimore, madje ne sot i kemi sjell Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ne formë digjitale 10 numra të librit “Thesar Kombëtar i Mergates Shqiptare, i cili permban shumë shënime dhe dokumente, kryesisht për veprimtari dhe çështje të Kosovës por edhe Shqiptare” tha Ibrahimi.

Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave pritet në takim nga Drejtori i Arkivave Shtetërore Kroate, Dinko Cutura

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave zhvilloi sot në Drejtorinë e Arkivave Shtetërore të Kroacisë një vizitë zyrtare për të rivendosur marrëdhëniet midis dy institucioneve. Kjo vizitë konsistoi në trajtimin e pikave kryesore në lidhje me mundësitë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme mes dy institucioneve.

Të pranishëm në këtë takim ishin Drejtori i Arkivave Shtetërore Kroate, z.Dinko Cutura, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr.Ardit Bido, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zagreb, z. Riza Poda dhe përfaqësues të dy institucioneve.

Drejtori i Arkivave Shtetërore Kroate, z.Dinko Cutura u shpreh se ndihej shumë i lumtur që mirëpriste përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe vlerësoi mundësinë për bashkëpunime të ndryshme, si ekspozita, botime si dhe mundësinë e firmosjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy institucioneve. “Mundësia e bashkëpunimit midis dy institucioneve do të sjell pasurimin e arkivave, me dokumente historike dhe shumë dokumente të tjera që flasin mbi historinë e marrëdhenieve midis dy vendeve”,- tha z. Dinko Cutura.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivava Dr.Ardit Bido falenderoi përzemërsisht për ftesën dhe për mundësinë për të rinovuar marrëveshjen midis Arkivave Kombëtare të Kroacisë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë. “Fokusimi ynë qëndron në qëllimet tona të përbashkëta mbi shkëmbimin e dokumenteve arkivore. Në Arkivin e Shqipërisë ruajmë dokumente që pasqyrojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Kroacinë, pavarësisht që sasia e tyre nuk është e njëjtë me sasinë që keni ju në arkivin tuaj, unë mendoj që sot ne kemi kapacitetin dhe mjetet për të shkëmbyer ato dokumente nëpërmjet digjitalizimit”,- u shpreh Dr.Bido.

Në fund të këtij takimi Drejtori i Arkivave Shtetërore të Kroacisë, së bashku me specialistët e tij, i prezantuan përfaqësuesve nga Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë disa dokumente mbi shqipërinë që i ruanin në arkivin e tyre.

Bashkohen arkivat shqiptare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë

By | Uncategorized | No Comments

Organizohet Konferenca e III Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Shkup

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, së bashku me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut organizuan në Shkup Konferencën e III Mbarëkombëtare të Arkivistikës, pas konferencave pararendëse të zhvilluara dy vitet e fundit në Tiranë e Prishtinë. Kjo konferencë është një tentativë për të thyer kufijtë shtetërorë në fushën e arkivistikës dhe për të bashkuar të gjithë ata që ruajnë memorien kolektive kombëtare shqiptare, pavarësisht shtetit ku punojnë.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido vlerësoi se kjo konferencë mundëson rritjen e kohezionit kombëtar në fushën e arkivistikës dhe se Shkupi ishte mikpritësi i natyrshëm i radhës pas Tiranës dhe Prishtinës. Ai tha se arkivat janë tregues të civilizimit të një vendi dhe se vendet më të përparuara u kanë kushtuar shumë vëmendje arkivave. “Ne sot jemi arkivat e së nesërmes dhe gjyshërit tanë dje janë arkivat e të sotshmes. Nëse ne respektojmë veten tonë, duhet të respektojmë veten edhe përtej momentit që do të jemi gjallë. Sikurse paraardhësit tanë, duhet të respektojmë kujtimet e tyre, duhet të respektojmë atë se çfarë kanë bërë ata ne jetë dhe kontributin që kanë dhënë” u shpreh Dr. Bido.

Kjo konferencë, sipas drejtorit të ITSHK-së, Skender Asani, do të ndihmojë në begatimin e arkivit të institucionit që ai drejton, për të hulumtuar historinë, duke u bazuar në dokumente.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave në Kosovë, Ramë Manaj, tha se misioni i arkivave shqiptare është që të rrëfejnë historinë e përbashkët kombëtare. “Një popull, një histori. Një histori e cila, natyrisht, në periudha të ndryshme ka pasur edhe dallimet e veta dhe veçoritë e veta dhe që natyrisht ka një shtririje në gjithë gjeografinë shqiptare. Një histori e gjatë dhe e bujshme, e cila për t’u pasqyruar drejt dhe në plotni, unë jam i mendimit se do të duhet të futet në arkiva, jo për t’u mbyllur por që nga aty të eksplorohet me profesionalizëm dhe saktësi shkencore” u shpreh z. Manaj.

Në konferencë u paraqitën 26 kumtesa në lidhje me të drejtat e njeriut, informatizimin e arkivave, mendimin arkivor shqiptar, komunikimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, pasurimin dhe bashkëpunimin mes arkivave. Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushën e arkivistikës. Konferenca u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut e ku tashmë është kthyer dhe në traditë, pas dy konferencave mbarkombëtare të zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë.

 

AQSH pasurohet me mbi 5000 dokumente të vjetra

By | Uncategorized | No Comments

Gjoba drejtorëve nëse nuk dorëzojnë dokumentet e para vitit 1945

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të vendit, ka vërejtur se në kundërshtim me ligjin “Për Arkivat”, muzeume, shkolla dhe institucione të tjera, mbajnë jashtë çdo kriteri teknik dokumente para vitit 1945.

Ligji I arkivave  përcakton qartë se:

“Arkivi Qendror Shtetëror ruan, përpunon, administron dhe shërben:

  1. a) dokumentet që janë trashëguar nga shteti shqiptar nga periudha parashteterore;
  2. b) dokumentet që janë krijuar nga institucionet qendrore e vendore të administratës shtetërore deri në vitin 1944.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka grumbulluar gjatë dy muajve të fundit, më shumë se 5000 dokumente me Rëndësi Historike Kombëtare, para vitit 1945.

Ndër to, mund të përmendim dokumente greqisht dhe osmanisht të shek. XIX dhe fillim shek.XX,

-Dokumete të Institutit “Nana Mbretreshë“ Tiranë të vitit 1933 e në vijim,

-Dokumente të Institutit Bujqësor në Kavajë te viteve 1939-1943,

-Të shkollës fillore femërore në Berat te vitit 1927,

-Amza të shkollave të ndryshme,

-Letra e Aqif Pashë Elbasanit 1920,

-Diplom e vitit 1916, etj.

Keto dokumente do t’u ofrohen studiuesve në kohë shumë të shkurtër, pas përpunimit të tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u bën apel të gjitha institucioneve shtetërore që mbajnë dokumente të këtij lloji dhe që ende nuk janë inspektuar nga DPA, t’i dorëzojnë ato sa më shpejt, sipas ligjit. Në të kundërt, do të merren masat përkatëse administrative ndaj titularëve dhe punonjësve të sekretari-arkivave të këtyre institucioneve.

 

Ekspozita “Lidhja e Prizrenit 1878-2019 mes dokumeneteve të Arkivit Qendror Shtetëror”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës çelën sot ekspozitën “Lidhja e Prizrenit 1878-2019 mes dokumeneteve të Arkivit Qendror Shtetëror”. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të 141 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ndërsa shfaqen dokumente të rralla, si thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve ku ftohen të kundërshtojnë coptimin e trojeve të shqiptarëve apo dhe Memorandumin e dërguar tek Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtojnë vendimet e Kongresit të Berlinit dhe copëtimet e trojeve shqiptare.

Më 10 qershor 1878 u mbajt në Prizren Lidhja e Prizrenit e cila ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike, ushtarake. Shqiptarët thirrën një kuvend mbarëkombëtar, ku do të merreshin vendime shumë me rëndësi për vendin. Pas firmosjes së marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Kuvendi priti delegatët pa dallim feje, ata do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Lidhja e Prizrenit, zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110, ku mes tyre ishin Ahmet Koronica, Abdullah Pashë Dreni, Shaban Prizreni, Zija Prishtina, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri, e shumë të tjerë, duke zgjedhur si kryetar anëtarin më të vjetër i cili kishte dhe fuqi të madhe morale, Iljaz Pashë Dibrën,

Në mbledhjen e datës 10 qershor 1878 u mbajtën fjalime nga delegatë të ndryshëm, një prej të cilëve dhe Abdyl Frashëri ku ndër të tjera tha: “Ne Shqiptarët rrjedhim nga Pellazgët e jemi populli ma i vjetër ktu në Ballkan kurse Slavët erdhën vonë e duke qenë në shumicë të madhe na shtynë në Jug-Perëndim të Ballkanit në ktë rrype të ngushtë ku ndodhemi sot. Nuk qe mjaft grabitja që na banë athere po kërkojnë sot me na shkitë edhe tokë të tjera. Kta na kërkojnë Plavë e Guci e Grekët nji copë të Vilajetit të Janinës e cila asht pjesë e pa-ndame e Atdheut tonë të dashun.
“Qëllimi i ksaj mbledhjeje sot asht me u-a pre hovin ktyne anmiqve të pa-shpirtë, duke lidhë besën shqiptare e duke u-betue me i mbrojtë me gjak trojet që na kanë lanë gjyshët dhe katragjyshët t’onë”.
Motoja e kësaj mbledhjeje ishte: “Të luftojmë dëri sa të derdhim pikën e fundit të gjakut. Para interest t’atdheut të çduken interesat private”.

Delegatët para së gjithave shihnin të rëndësishëm sigurimin e qetësisë dhe të zhdukjes së gjakmarrjes, dhe nëse jo përgjithnjë të paktën dëri sa të rregullohej situata e Shqipërisë. Lidhja e Prizrenit vepronte njësoj si një qeveri kombëtare duke sunduar dhe rregulluar krahinat e qytetet e Shqipërisë për sa i përket administratës gjithashtu mblidhte luftëtarë edhe taksa.

Dy vendimet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Në këto vendime i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara më dhjetëra firma nga delegatët pjesëmarrës.

70 vjet – Arkivi Qendror Shtetëror

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave festoi dje 70 vjetorin e themelimit të Arkivit Qendror Shtetëror. Drejtuesi i institucionit z.Ardit Bido fjalën e tij përshëndetëse e nisi duke treguar se sa i rëndësishëm është Arkivi për një vend dhe njëkohësisht falenderoi të gjithë punonjësit aktual por dhe ata që kanë lënë gjurmë duke punuar për këtë institucion.

Z.Ardit Bido prezantoi së bashku me Drejtorin e Arkivit të Kosovës z.Ramë Manaj dhe Drejtoreshën e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme znj.Pranvera Dibra, dy projektet e mëdha për sa i përket krijimit të godinës së re dhe rikonstruksionit të godinës aktuale të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Pjesë e rëndësishme e eventit ishte dhe shfaqja e dokumentarit e bërë enkas për 70 vjetorin e krijimit të Arkivit Qendror Shtetëror, i cili u ndoq me kuriozitet dhe u duartrokit nga të ftuarit.

Pjesëmarrës në këtë event ishin personalitete si Drejtori i Arkivt të Kosovës z.Ramë Manaj, Drejtoresha e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme znj.Pranvera Dibra, Ambasadori i Republikës Arabe të Egjiptit z.Mohamed Khalil, Nën Kryetari i Bashkisë  Z.Andi Seferi, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit znj.Iris Elezi, Drejtori i Arkivit të Forcave të Armatosura z.Teki Kurti, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, Drejtoresha e Institutit të Studimeve Evropiane, arkivistë, studiues dhe shumë personalitete të tjerë.

“Java e Arkivave të Hapura” në kuadër të 70 vjetorit të themelimit të Arkivit të Shtetit

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizon nga data 3 Qershor deri më 7 Qershor 2019, Javën e Arkivave të Hapura” në kuadër të 70 vjetorit të themelimit të Arkivit të Shtetit.

Gjatë këtyre ditëve, vizitorët do të mund të shohin proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror, nga sektori i vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimi, digjitalizimi dhe restaurimi i dokumenteve arkivore. Po ashtu do të mund të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që është shfaqur rrallë herë në publik.

Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i bën thirrje të gjitha shkollave dhe universiteteve të kontaktojnë paraprakisht për vizita  gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të krijohen të gjitha mundësitë dhe hapësirat të njohjes nga afër me këto procese, vecanërisht për të rinjtë.

Risi për ata që duan të studiojnë më gjatë në DPA

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot një risi në lidhje me shfrytëzimin e sallës së studimit. Për këdo që orarin e sallës së studimit e ka pasur pengesë, tashmë nuk do ta ketë më. Duke filluar nga data 15 qershor 2019 salla e studimit do të funksionojë edhe pasditeve, deri në orën 19:00 dhe gjithashtu do të qëndroj e hapur edhe ditën e shtunë.

Kjo është një risi që u vjen të gjithë studiuesve dhe të gjithë të interesuarve që duan të shfrytëzojnë ambientet e sallës së studimit. Këtë njoftim e bëri të ditur në prani të studiuesve Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido ku shprehu se “ashtu si dhe në arkivat më të mëdha perëndimore, është një ndihmë që iu vjen studiuesve të cilët tashmë nuk kanë nevojë që të marrin leje nga puna e tyre, në mënyrë që të vijnë në arkiv, po kanë mundësi që të programojnë kohën, të vijnë atëherë kur ata kanë mundësinë dhe të mundet të nxisim në këtë formë studimet, sidomos në fushën albanologjike, ku Arkivi Qendor Shtetëror është burimi më i madh”.

“Pas dy viteve që ne kemi punuar për këtë risi, tashmë janë pjekur kushtet dhe kemi mundësuar nëpërmjet sistemeve elektronike që të ndahet puna e vendruajtes dhe e sallës përmes procedurës dhe jo përmes pranisë fizike të individëve, sikurse kemi dhe bazën ligjore që na i mundëson këtë gjë”, tha z.Bido.

Gjithashtu studiuesja znj.Ana Lalaj tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sidomos për studiuesit e rinj ata të cilët aspirojnë për të mbrojtur masterin apo doktoraturën, të cilët janë në marrëdhënie pune. Duke ardhur pasditeve, duke ardhur edhe të shtunave, kjo i vjen në ndihmë edhe personave që vijnë nga rrethet, jo vetëm studiuesve nga Tirana.

Të pranishëm ishin edhe Drejtori i Arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes z.Teki Kurti, Drejtori i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë z.Xhavit Shala, Pedagogu i Fakultetit Histori-Filologji z.Artan Puto dhe studiues të tjerë të cilët mbështetën këtë nismë që ndihmon dhe lehtëson punën studimore.

Arkivat në Tepelenë në “Javën e Ali Pashës, Edicioni i II”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë në çeljen e sezonit turistik “Java e Ali Pashë Tepelenës” më 23 dhe 24 maj.. DPA kontribuoi modesisht me ekspozitën kushtuar kësaj figure madhore të pararilindjes kombëtare, në aktivitetet e organizuara.

Ky aktivitet vjen si risi tashmë për herë të dytë në qytetin e Pashait, me mbështetjen e Bashkisë Tepelenë, Ministrisë së Kulturës, si një investim dhe mbrojtje e vlerave kulturore, trashëgimisë dhe turizmit.

Organizatorët besojnë se kjo është një mundësi e mirë për nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe për të promovuar të gjitha vlerat potenciale që kjo zonë ka mundur t’i ruaj apo krijojë nëpërmjet aseteve dhe natyrës së mrekullueshme si pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor kombëtar.