Uncategorized

Bashkohen arkivat shqiptare të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë

By Qershor 17, 2019 No Comments

Organizohet Konferenca e III Mbarëkombëtare e Arkivistikës në Shkup

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, së bashku me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut organizuan në Shkup Konferencën e III Mbarëkombëtare të Arkivistikës, pas konferencave pararendëse të zhvilluara dy vitet e fundit në Tiranë e Prishtinë. Kjo konferencë është një tentativë për të thyer kufijtë shtetërorë në fushën e arkivistikës dhe për të bashkuar të gjithë ata që ruajnë memorien kolektive kombëtare shqiptare, pavarësisht shtetit ku punojnë.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido vlerësoi se kjo konferencë mundëson rritjen e kohezionit kombëtar në fushën e arkivistikës dhe se Shkupi ishte mikpritësi i natyrshëm i radhës pas Tiranës dhe Prishtinës. Ai tha se arkivat janë tregues të civilizimit të një vendi dhe se vendet më të përparuara u kanë kushtuar shumë vëmendje arkivave. “Ne sot jemi arkivat e së nesërmes dhe gjyshërit tanë dje janë arkivat e të sotshmes. Nëse ne respektojmë veten tonë, duhet të respektojmë veten edhe përtej momentit që do të jemi gjallë. Sikurse paraardhësit tanë, duhet të respektojmë kujtimet e tyre, duhet të respektojmë atë se çfarë kanë bërë ata ne jetë dhe kontributin që kanë dhënë” u shpreh Dr. Bido.

Kjo konferencë, sipas drejtorit të ITSHK-së, Skender Asani, do të ndihmojë në begatimin e arkivit të institucionit që ai drejton, për të hulumtuar historinë, duke u bazuar në dokumente.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave në Kosovë, Ramë Manaj, tha se misioni i arkivave shqiptare është që të rrëfejnë historinë e përbashkët kombëtare. “Një popull, një histori. Një histori e cila, natyrisht, në periudha të ndryshme ka pasur edhe dallimet e veta dhe veçoritë e veta dhe që natyrisht ka një shtririje në gjithë gjeografinë shqiptare. Një histori e gjatë dhe e bujshme, e cila për t’u pasqyruar drejt dhe në plotni, unë jam i mendimit se do të duhet të futet në arkiva, jo për t’u mbyllur por që nga aty të eksplorohet me profesionalizëm dhe saktësi shkencore” u shpreh z. Manaj.

Në konferencë u paraqitën 26 kumtesa në lidhje me të drejtat e njeriut, informatizimin e arkivave, mendimin arkivor shqiptar, komunikimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, pasurimin dhe bashkëpunimin mes arkivave. Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushën e arkivistikës. Konferenca u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut e ku tashmë është kthyer dhe në traditë, pas dy konferencave mbarkombëtare të zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë.

 

Leave a Reply