Uncategorized

Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror pasurohet nga Akademia e Shkencave

By Shtator 26, 2019 No Comments

Akademia e Shkencave pasuroi sot Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror duke i dhuruar dhjetra libra. Në këtë dhurim të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, akademiku Vasil Tole, studiuesi Irakli Koçollari dhe stafi i Bibliotekave të dy institucioneve.

Akademiku Vasil Tole shprehu kënaqësinë që ndodhej në mjediset e Dpa-së, për këtë xhest simbolik të dhurimit të librave shkencor, që akademikët përgjithësisht, studiuesit shqiptarë botojnë përmes entin botues të Akademisë së Shkencave. “Është kënaqësi dhe një shenjë e qartë e bashkëpunimit afatgjatë që Akademia e shkencave si institucion, ish institutet në varësi të saj por dhe akademikët sot kanë në Arkivin Qendror të Shtetit në të gjitha nivelet, jo vetëm në Tiranë, po kudo ku ka Arkiva në Shqipëri, pasi gjykojmë që edhe këto vepra do të ishin të pamundura që të krijoheshin, për më tepër pastaj të botoheshin pa kontributin dhe veprimtarinë e Arkivave të Shqipërisë dhe posaçarisht të dokumentacionit që administrohet në këto Arkiva” -tha akademiku Vasil Tole.

Z.Tole falenderoi z.Bido dhe të gjithë punonjësit e Arkivave që po u krijojnë kushte studiuesve për t’i shfrytëzuar këto dokumente dhe theksoi se ky nuk është dhurimi i fundit por është thjesht një hap që Akademia e Shkencave dhe sektori përkatës i botimeve në Akademi bën për këto dhurime.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z.Ardit Bido, i shprehu mirënjohjen z. Tole për dhurimin e librave për bibliotekën, duke e pasuruar më tej atë.

“Dua të falenderoj profesor Vasil Tolen dhe profesor Irakli Koçollarin për këtë ndihmesë të vazhdueshme që Akademia e Shkencave bën për Arkivin Qendror Shtetëror. Dhurimi i këtyre librave vjen në fakt në kuadër të diçkaje shumë të rëndësishme që është krijimi i një Biblioteke Qendrore në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, ku të gjithë studiuesit jo vetëm të kenë mundësi që të ndjekin dhe të shohin dhe të studiojnë materialin arkivor por dhe materialin bibliotekar”-u shpreh z.Bido. Ndërsa shtoi se Biblioteka ka qenë një magazinë librash deri më tani në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Proçesi i punës është në fazën finale ku thuajse klasifikimi ka përfunduar po përgatisim software dhe besoj për shumë shpejt mbase në dhjetor – janar do të jetë e aksesueshme për studiuesit, që në çastin që vijnë në sallën e studimit mund të porosisin dosje arkivore por njëkohësisht të mund të porosisin edhe libra” -tha z.Bido.

Studuesi Irakli Koçollari tha në fjalën e tij se Arkivi ka në thelbin e tij materialet unike në vlerat e tyre, dokumente që fillojnë që nga dorëshkrime deri në dokumentet më të rralla, që gjenden vetëm në Arkiv dhe askund tjetër.

“Ky dokumentacion që gjendet në Arkiv, një pjesë e tij natyrisht është përpunuar, kur themi është përpunuar, është marrë nga studiues, nga shkencëtar të fushës përkatëse dhe e ka sjell atë jo më një si një dokument të vetëm dhe unik por dhe të lidhur me shumë sfonde të tjera të caktuara, siç është sfondi historik, persona dhe personalitete, në tërësi e shkëput nga mëvehtësia dokumentin dhe e bën atë të lidhur me sfondin historik të shumë ngjarjeve dhe të shumë fenomeneve. Fondi sigurisht këtu është i pafund, që është këtu dhe askund tjetër, por një pjesë e tij siç edhe e thash është përpunuar në tematika dhe subjekte të caktuara, dhe në këtë mënyrë studiuesit e gjejnë jo vetëm si një dokument të vetëm por edhe të përpunuar, të unifikuar, në një produkt të gatshëm. Ndaj është e nevojshme dhe prania e studimeve dhe burimeve dytësore krahas burimeve parësore historike, për të krijuar një lehtësi dhe qartësi në interpretimin e dokumenteve historikë”-tha studiuesi z.Koçollari.

Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror administron dhe ruan mbi 10.000 libra. Natyra e librave në bibliotekë është e larmishme, midis tyre gjenden Enciklopedi, libra historikë, fetarë, fjalorë, fletore zyrtare, metoda, etj. Librat janë të viteve të ndryshme, ata më të hershmit janë klasifikuar tek fondi i librave të rrallë dhe ruhen në Dhomën e Fortë të AQSh. Gjuha e librave është e ndryshme, ka në italisht, frengjisht, greqisht, latinisht, osmanisht, etj. Kjo bibliotekë ka një traditë pasurimi përmes studiuesve të cilët shfrytëzojnë sallën e AQSh për studimet e tyre. Në nxjerrjen në dritë të botimeve këta studiues dhurojnë një kopje në bibliotekën e AQSh.

Krahas pasurimit të vazhdueshëm të Bibliotekës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave po punohet çdo ditë për inventarizimin digjital dhe për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, me synimin që Biblioteka të jetë më e lehtë e aksesueshme në shfletimin e informacionit bibliografik.

Leave a Reply