Uncategorized

Për herë të parë, çelet ekspozita me dekorata dhe medalje

By Nëntor 7, 2019 No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave së bashku me Muzeun Historik Kombëtar, sollën sot për publikun ekspozitën “Dekorata dhe medalje”.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur dekorata dhe medalje me të cilat janë nderuar personalitete shqiptare e të huaja për meritat e tyre të pashembullta në përfaqësimin dhe ngritjen e kombit dhe Shqipërisë.

Në çeljen e kësaj ekspozite, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi u shpreh i lumtur për këtë ekspozitë dhe vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe model që ka Muzeu Historik Kombëtar me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

“Kam kënaqësinë të konstatoj se ky bashkëpunim është model dhe sigurisht më duhet të përgëzoj stafet e të dy institucioneve që e kanë gjetur vetveten në një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe që shkon drejt një bashkëpunimi shumë të natyrshëm për sa i përket memories sonë kolektive dhe pasqyrimit sa më të saktë të historisë nëpërmjet dokumentacionit” shprehu Koçi.

Një pjesë e dekoratave dhe medaljeve që ruhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Muzeu Historik Kombëtar publikohen për herë të parë për publikun.

Gjatë fjalës hyrëse Drejtori i Muzeut Kombëtar Dorian Koçi tregoi se Muzeu ruan një koleksion shumë të bukur të ardhur nga Anglia, të dhuruar nga pasardhësit e familjes së sekretarit të Princ Vidit. Ai po ashtu tregoi se ruhen edhe disa dekorata dhe medalje të heronjëve të luftës si dhe dekorata “Nderi i Kombit” dhënë Andon Zako Çajupit që shoqata “Zagoria” ia ka dhuruar Muzeut Historik Kombëtar.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr.Ardit Bidon në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e veçantë që po bëhet e mundur që pasuria që shpesh herë qëndron e fshehur tashmë po bëhet e aksesueshme dhe se kjo ekspozitë është një shans për të gjithë qytetarët për t’u njohur me një pjesë të pasurisë sonë kombëtare.

“Mund ta shikojmë në shumë këndvështrime këtë gjë, mund ta shohim nga pikëpamja stilistike sepse disa prej këtyre dekoratave të vjetra janë jashtëzakonisht të bukura, të cilat nga pikëpamja stilistike kanë një vlerë të veçantë. Mund ta shikojmë nga pikëpamja e vlerave, ku dekoratat i janë dhënë personaliteteve më të mëdha të kombit tonë dhe rrjedhimisht ato fshehin dhe një histori tjetër nga pas. Mund ta shikojmë po ashtu nga pikëpamja e nivelit, pra të gradës së këtyre dekoratave sikurse dhe të kohëzgjatjes që nisi, që nga fillesat e shtetit Shqiptar, që nga Principata e Vidit dhe vijnë deri në ditët e sotme” tha Dr. Bido.

Ekspozita “Dekorata dhe medalje” do të jetë e hapur për dy javë në Ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Leave a Reply