Uncategorized

DPA nis digjitalizimin e fondit arkivor të “Komunitetit Katolik në Shqipëri”

By Tetor 28, 2019 No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot marrëveshje bashkëpunimi me Komunitetin Katolik në Shqipëri. Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve për të digjitalizuar dokumentet arkivore të Komunitetit Katolik në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe Ipeshkvi Gjergj Meta.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tregoi se kjo marrëveshje konsiston në digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit të Komunitetit Katolik në Shqipëri dhe të çdo materiali tjetër që është krijuar për Komunitetin Katolik që ndodhet në Fondet Arkivore.

“Në rradhë të parë është korigjimi i një padrejtësie historike përmes një vije të përbashkët ku i gjithë dokumentacioni i cili është sekuestruar komuniteteve fetare iu rikthehet atyre tashmë në formë digjitale ndërkohë që kopja origjinale ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, ku ekzistojnë kushtet e nevojshme të ruajtes së saj” tha Dr. Bido.

Gjithashtu Dr. Bido theksoi se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të sigurojë teknologjinë dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e procesit të digjitalizimit dhe të depozitimit të dokumenteve, ndërsa Komuniteti Katolik do të vërë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, persona nga stafi i tij me qëllim skanimin e dokumenteve.

Ipeshkvi Gjergj Meta vlerësoi shumë këtë moment si një hap i mjaft të rëndësishëm. Ai përshëndeti iniciativën e ndërmarrë dhe për këmbënguljen për të gjetur një zgjidhje.

“Kjo është një padrejtësi që i është bërë arkivave të Kishave Katolike, duke u konfiskuar, tani po riparohet në një farë mënyre, nëpërmjet kësaj rruge të ndërmjetme, që është digjitalizimi. Duhet thënë një fakt, sikurse thotë një shprehje, ‘Jo çdo e keqe vjen për të keq’, në fakt falë Arkivit Qendror Shetëror shumë dokumente janë ruajtur” u shpeh Ipeshkvi Gjergj Meta.

Në saje të kësaj marrëveshjeje, Dokumentet do të skanohen sipas parimeve tekniko-profesionale arkivore, në nivel Fondi, Viti, Dosje dhe Fletë.

Leave a Reply