15/10/2023

79-vjetori i çlirimit të Fierit

79-vjetori i çlirimit të Fierit

Në kuadër të festës lokale të çlirimit, në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, DPA-ja ka prezantuar ekspozitën fotografike "Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve".

Pranë memorialit historik kushtuar çlirimit të qytetit, ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosin larmishmërinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Mes materialeve të përzgjedhura të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare), kostumeve popullore të trevave në jug dhe në veri të vendit, si edhe në Shqipërinë e Mesme.

Kjo ekspozitë pati premierën në Gjirokastër, me rastin e Festivalit Folklorik Kombëtar. Nisur nga interesi i lartë i publikut, DPA-ja ndërmori një tur shëtitës të ekspozitës, e cila është shfaqur më tej në Tepelenë, në Krujë, në Shkodër dhe në Korçë.