4/11/2024

DPA sjell arkivin audiovizual online

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar platformën më të re kërkimore “Audio dhe Videotekën online", duke sjellë në kompjuterin personal të studiuesve materialet dëgjimore dhe filmike mbi zhvillimet politike në Shqipërinë e pasvitit 1945.

8,071 kaseta dhe 318 videokaseta, që u përkasin fondit personal të diktatorit Enver Hoxha dhe fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të nomenklaturës komuniste në takime, në plenume, në mbledhje të Komitetit Qendror, të komiteteve dhe të organizatave të Partisë së Punës së Shqipërisë, janë pjesë e arkivit audiovizual, që po i nënshtrohet procesit të digjitalizimit, për t'u bërë i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë në adresën videoteka.arkiva.gov.al. Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Znj. Marinela Ndria, historianë dhe studiues, që e vlerësuan këtë risi, si një shtysë për ndërmarrjen e hulumtimeve të mëtejshme.

Në fjalën e tij për mediat, Bido bëri me dije se përdorimi për qëllime didaktike i këtyre materialeve do të jetë falas, duke i ofruar gjeneratës së re një mundësi për të mësuar mbi historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist. “Të gjitha materialet e periudhës së komunizmit duhet të jenë të qasshme lirisht për të gjithë. Ne nuk mund që të transmetojmë te brezat e rinj një periudhë të caktuar dhe sidomos pjesën e vendimmarrjes politike në dëm të lirive dhe të drejtave të njeriut, pa i mundësuar që kushdo të mund t’i shohë pa asnjë pengesë. Një gangrenë që ne tashmë prej dy vitesh e kemi hequr qëkur kemi nisur procesin e digjitalizimit masiv të materialeve audio dhe video, që besojmë se do të përfundojë dy vitet e ardhshme. Fatkeqësisht, ky material ka qenë në grahmat e fundit, në degradim e sipër, sepse është material organik dhe i ndikueshëm nga faktori kohë dhe kushtet atmosferike, i paruajtur mirë ndër vite sipas kritereve teknike. Digjitalizimi i këtij fondi shoqërohet me sistemin e ri, në të cilin do të mundet që çdokush të dëgjojë apo të shohë një pjesë të materialit online pa pagesë. Ndërkaq, për të aksesuar materialit e plotë duhet të paraqitet në Sallën e Studimit. Nëse do të pëdoret për qëllime komerciale, nevojitet blerë. Përjashtim do të ketë vetëm në rastin kur do të përdoret për qëllime edukative, qoftë nga shkolla apo universitete, si edhe studiues, që do ta përftojnë falas në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave", tha kreu i DPA-së.