25/6/2024

"Gjeneral Gramafoni" në Kinemanë Verore të DPA-së

Në vazhdën e nismës për t’i njohur të rinjtë me të shkuarën e vendit, Kinemaja Verore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) shfaqi filmin e radhës kushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

“Gjeneral Gramafoni” i regjisorit Viktor Gjika më 1978-n, është realizimi i dytë kinematografik i restauruar që ekranizohet në Kinemanë Verore pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm me dhjetëra studentë dhe nxënës, si edhe veteranë dhe përfaqësues të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut.  

Një tjetër risi që DPA-ja ka prezantuar së fundmi është aplikacioni “teater.arkiva.gov.al”, i krijuar enkas për rezervimin falas të biletave për secilin prej filmave që rezulton në kalendarin e ngjeshur të Kinemasë Verore, me një kohështrirje deri në muajin nëntor. Për kryerjen e rezervimit, të interesuarit duhet t’i drejtohen aplikacionit për të zgjedhur filmin, për të depozituar gjeneralitetet (emër dhe mbiemër) dhe postën elektronike.

Kjo nismë e DPA-së, që gëzon bashkëpunimin me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), synon të njohë veçanërisht të rinjë me kushtrimin e dëshmorëve të Atdheut nëpërmjet formave bashkëkohore dhe argëtuese. Kinemaja Verore e DPA-së çeli siparin në muajin maj me shfaqjen e një prej filmave ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”.

Në listën e përzgjedhur të filmave që do të transmetohen në vijim, bëjnë pjesë titujt:

-“Lulëkuqe mbi mure”, më 16 korrik, ora 20:00;

-“Partizani i vogël Velo”, më 25 korrik, ora 20:00;

-“Mëngjese lufte”, më 14 gusht, ora 20:00;

-“Yjet e netëve të gjata”, më 29 gusht, ora 20:00;

-“Njeriu me top”, më 11 shtator, ora 20:00;

-“Nusja dhe shtetrrethimi”, më 24 shtator, ora 18:00;

-“Malet me blerim mbuluar”, më 8 tetor, ora 18:00;

-“I teti në bronz”, më 28 tetor, ora 18:00;

-“Kthimi i ushtrisë së vdekur”, më 11 nëntor, ora 18:00.

Bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar mes DPA-së dhe Universitetit të Arteve, në këtë hapësirë kulturore të kryeqytetit, do të vihen në skenë edhe punimet teatrale apo kinematografike të studentëve. Po ashtu, do të gjejë zbatim e njëjta procedurë rezervimi falas.