Himara në dokumentet arkivore
Me rastin e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Sol të mbajtur në kishën e Shën Spiridhonit në Vuno, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) prezantoi ekspozitën dokumentare dhe fotografike "Himara në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror".
Përmes kësaj ekspozite që iu bashkua aktivitetit të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe nga Bashkia e Himarës, banorë, turistë dhe të interesuar të shumtë patën mundësinë të përftonin një rrëfim mbi bukurinë e përveçme të rivierës joniane dhe veprimtaritë publike të zhvilluara në Himarë, në gjysmën e parë të shek. XX.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë: •Kërkesa e vitit 1922 për krijimin e Bashkisë së Himarës, gjer asokohe Nënprefekturë e Vlorës; •Korrenspondenca mes banorëve të zonës dhe autoriteteve shtetërore mbi probleme të përgjithshme; •Kërkesa për rindërtimin e skelës së portit; •Kërkesa për krijimin e një flote kombëtare tregtare.
Ky festival, që do të mbahet deri më datë 28 korrik, synon rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e trashëgimisë kulturore të Kishës së Shën Spiridhonit në Vuno, duke kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e këtij monumenti historik dhe artistik. Përfshirja në aktivitete të këtij lloji vjen në vazhdën e gatishmërisë së DPA-së për bashkëpunime ndërinstitucionale dhe angazhimit të saj të pandërprerë, në funksion të promovimit të së shkuarës historike të vendit.