22/6/2024

Një vështrim historik mbi Çamërinë

Në kuadër të 80-vjetorit të genocidit ndaj popullsisë së shqiptarëve të Çamërisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Shoqatën Patrotike "Çamëria", ka prezantuar ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Armiq pa kauzë- programi çam pas Luftës së Dytë Botërore”.  

Në Stadiumin e Lojrave me Dorë "Aleko Dajko" të qytetit të Sarandës, anëtarëve të Shoqatës Patriotike "Çamëria" dhe qytetarëve të shumtë, iu shpalos një rrëfim i kalvarit të vuajtjeve të popullsisë çame mes masakrave zerviste, shpërnguljes së detyruar dhe orvatjes për njohjen e kauzës së tyre nga organizmat ndërkombëtarë.

Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat kanë një kohështrirje nga periudha e fashizimit e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, bëjnë pjesë të poshtëlistuarat:

Promemorie e Këshillit të Ministrave mbi genocidin çam të kryer nga grekët gjatë periudhës së fashizmit; Informacion mbi manifestimin propagandistik para Bashkisë së Tiranës në mbështetje të Kosovës dhe Çamërisë; Foto të qyteteve të Çamërisë gjatë pushtimit fashist; Dokumente mbi vendosjen e popullisisë çame në qytete të ndryshme të vendit; Informacione të Këshillit Antifashist Çam mbi krimet kundër popullsisë çame nga trupat zerviste drejtuar Fuqive të Mëdha; Raportime për të dëbuarit e popullsisë çame në Shqipëri në shtypin e shkruar; Informacion mbi misionin e UNRRA-s për t’i ardhur në ndihmë popullsisë çame të shpërngulur.

Kjo ekspozitë shfaqet për herë të parë si përkujtesë e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë. Ky aktivitet iu bashkua eventit të organizuar nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe Shoqata Patriotike "Çamëria", që mblodhi grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.