Uncategorized

Studentët njihen me trashëgiminë kulturore bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri

By Korrik 18, 2019 No Comments

Sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave u zhvillua seminari i Shkollës Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin.

Përmes leksioneve dhe referateve studentët u njohën me dokumente në gjuhën greke. Ata panë nga afër kodikët të cilët ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

Nga pedagogu Andi Rembeci, përgjegjës dhe koordinator i Shkollës Verore ndoqën leksionin “Duke shfletuar Bizantin nga Shqipëria: Kodikë-Tekste-Art”, kurse profesor Agamemnon Tselikas, autoritet botëror në Paleografi, ligjëroi në temën “Vështrim mbi të dhënat arkivore bizantine dhe dokumente të diplomatikës”.

“Jemi në një institucion shumë të rëndësishm, jemi në mjediset e Arkivit, që është zemra e historisë së çdo shteti. Nga këtu ku jemi ju mund të kuptoni rëndësinë dhe vlerën që ka ky mjedis dhe se çfarë do të thotë që ju të studioni materiale që doni” u shpreh profesor Agamemnon Tselikas.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjthshme të Arkivave Dr.Ardit Bido në fjalën e tij përshëndetëse tha se dyert e Arkivit janë gjithnjë të hapura për cilindo studiues, pasi Arkivi është pjesa thelbësore e kërkimit shkencor.

“Arkivi Qendror Shtetëror është një arkiv i cili është krijuar vonë, në vitin 1948 dhe si rrjedhojë dhe materialet që ne disponojmë në numër është shumë i vogël, në krahasim me arkivat e tjera analoge të vendeve të tjera perëndimore. Nuk kemi dokumentacion mjaftueshëm përpara vitit 1912 por kemi dokumentacion përpara ’12 të vogël por sifinjikativ, kemi një ndër kodikët më të vjetër që ekziston në botë, kodikun e purpurt të Beratit, i cili është pjesë e trashëgimisë botërore. Edhe pse kemi dokumentacion të pakët mund të themi se kemi dokumentacion të pasur dhe ndonjëherë është cilësia e cila ka më shumë vlerë se sa sasia” tha Dr.Bido.

Kjo shkollë organizohet për të tretin vit radhazi nga Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis dhe National Bank οf Greece Cultural Foundation.

Leave a Reply