30/4/2024

DPA përuron një sallë shumëfunksionale

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka përuruar hapësirën më të re kulturore që i shtohet kryeqytetit. Një sallë shumëfunksionale që do të shërbejë si kinema, sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh, çeli sot siparin në prani të dhjetëra studentëve të Universitit të Arteve (UA).

DPA-ja dhe UA-ja nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, që i hap udhën kryerjes së një sërë projektesh artistike dhe kulturore. Përfaqësuesit e dy institucioneve bashkëpunuese, Drejtori i Përgjitshëm i DPA-së, Prof. Dr. Asoc. Ardit Bido dhe rektori i AU-së, Prof. Kastriot Çaushi, u dakordësuan mbi kushtet e një marrëveshjeje 5-vjeçare, që parasheh zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. Kjo marrëveshje synon po ashtu të sigurojë qasje të lehtësuar për studentët e të gjitha cikleve, si edhe për pedagogët e UA-së, në pasurinë arkivore që zotëron DPA-ja.

Në fjalën e mbajtur, Bido tha se përmes kësaj salle, ofrohet një mundësi shumë e mirë për rininë shqiptare për të shpalosur talentin e saj në disa gjini artistike. "Është kënaqësi që inaugurojmë një ambient të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Një sallë multifunksionale që do të shërbejë si sallë leksionesh, trajnimesh dhe eventesh. Në kuadër të riorganizimit të hapësirës së jashtme të DPA-së, ne duam të zhvillojmë aktivitete kulturore dhe duam t'ia ofrojmë rinisë shqiptare këtë sallë, së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur, që të mund të shpalosë talentin e vet. E nisim bashkëpunimin me Universitetin e Arteve. E falenderoj shumë rektorin për gatishmërinë."-     është shprehur Bido.

Në fjalën e tij të rastit, Çaushi shprehu vlerësimin dhe befasinë për këtë nismë, që e ka shndërruar Arkivin në një alternativë kulturore. "Në këtë sallë gjej befasinë e një salle që më emocion dhe më gëzon, ku do të shfaqet jeta ime dhe e kolegëve të mi, që është filmi. Pasi komunikova me drejtorin tuaj, kuptova që në Arkiv kishte një realitet tjetër. Është një hapësirë që mund ta perdorim. Edhe hapesira jashtë, mund të përdoret për teatër, balet, ekspozitë pikture, dhe për shfaqje muzikore. Ndërkohë që kjo sallë mund të ishte një depo, ju e keni shndërruar në kinema të vogël. Jam vërtet i lumtur. Shoh një realitet krejt tjetër."- tha Çaushi.

Në përmbyllje të aktivitetit, u shfaqen disa materiale filmike të realizuara nga studentë të ciklit master në UA: “Vragë” nga Mario Çaçi, “Punë e pambaruar” nga Redi Jata, “5 1sha” nga Dionis Prifti, “Obituari i nesërm” nga Renis Hyka dhe “Hi në tapet” nga Enea Gramo dhe Enton Lazaj.

Në angazhimin e shprehur përmes kësaj marrëveshjeje, DPA-ja merr përsipër vënien në gatishmëri të hapësirës pa pagesë, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në marrëveshje. Në këtë marrëveshje përfshihen shfaqja e filmave dokumentarë, vënia në skenë e shfaqjeve të ndryshme prej trupës studentore të UA-së, aktivitete muzikore dhe të arteve të bukura.

Kalendari i aktiviteteve do të përcaktohet bashkarisht prej institucioneve, me shkrim ose në formë elektronike, minimalisht 30 ditë para datës së parashikuar të aktivitetit përkatës. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati, në mungesë të vullnetit të palëve për t’i dhënë fund.

Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të të rinjve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare. Së bashku me Teatrin dhe Kinemanë e Hapur me një kapacitet prej 140 ulësesh, me Hapësirën e Studimit në Natyrë dhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore kryesisht për të rinjtë, që mund të shërbejë njëkohësisht edhe si një pikë atraksioni për turistët.