28/4/2024

DPA promovon botimet më të fundit dhe revistën arkivore

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka promovuar botimet e saj më të fundit në punimet e Panairit të 3-të Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor. 😍
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Inspektimit dhe Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Z. Bislim Bislimi, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), Prof. Vasil Tole, akademikë, studiues dhe arkivistë nga vendi dhe nga rajoni.
Në fjalën e mbajtur, Musaj foli mbi hulumtimet rreth tematikës së gjerë të punës kërkimore në arkiv, duke iu referuar botimit "Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”. “Është libri më i plotë për arkivistikën bazuar në përvojën kombëtare dhe ndërkombëtare. Jep informacione, metoda teorike dhe praktike për arkivistët, për krijuesit dhe për përdoruesit e dokumentave.”- tha Musaj.
Gjatë fjalës së tij, Bislimi foli mbi rëndësinë e publikimit të revistës "Arkivat Shqiptare", e cila është e vetmja në llojin e saj në mbarë trojet shqiptare. Ky botim mundësohet në sajë të vullnetit për ndërveprim të vazhdueshëm midis dy institucioneve simotra, DPA-së dhe ASHAK-ut
Në mbyllje, e mori fjalën Prof. Tole, i cili çmoi publikimet periodike të DPA-së në lëmet e historisë dhe të arkivistikës. Ky panair i organizuar nga ASH-ja dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, përmbylli sot punimet e edicionit të 3-të. Mes pjesëmarrësve, radhiteshin ente botuese, institucione dhe universitete publike.