4/12/2023

"Të ndarë, por jo të shkëputur" në Mitrovicë

Në vazhdën e jehonës së festave të nëntorit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka shfaqur në Mitrovicë ekspozitën e titulluar “Të ndarë, por jo të shkëputur”.

Në mjediset e shkollës private 12-vjeçare, “Kosovo Leadership Academy”, u prezantuan materiale dokumentare dhe fotografike që ilustojnë rrugëtimin e mundimshëm drejt lirisë dhe kontributin e paçmueshëm të figurave me rol qendror në shtetformim. Nxënësit patën mundësi të mësonin më shumë mbi të shkuarën e lavdishme të vendit, në sajë të një narrative binare, e bazuar në dokumente dhe në celuloid.  

Kjo eskpozitë, e përgatitur nga DPA-ja dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), është prezantuar më herët në Tiranë dhe në Prekaz, në kuadrin e aktiviteteve të organizura për festën e Pavarësisë. Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së, e cila qendron në bashkëpunim të vijueshëm me institucionet arsimore nga mbarë vendi dhe kudo ku ka shqiptarë, për organizime me karakter didaktik.