17/11/2023

Çlirimi i Tiranës, një rrëfenjë ndryshe

Me rastin e 79-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me Muzeun Historik Kombëtar (MHK), paraqiti ekspozitën "Tirana në llogore".

Në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e MHK-së, qenë të pranishëm nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, drejtuesi i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, përfaqësues të pushtetit vendor lokal, studiues, mësues, qytetarë dhe nxënës të shkollave publike të kryeqytetit. Publiku pati mundësinë të shihte nga afër dokumente dhe fotografi të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), mbi Tiranën nën thundrën e pushtuesve nazi-fashistë, mbi qendresën për liri, mbi rolin e britanikëve në Shqipëri dhe mbi pasojat e pushtimit. Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bëjnë pjesë të poshtëlistuarat:

📌

Foto të Durrësit në nisje të pushtimit fashist, më 7 prill 1939;  

📌

Informacion mbi ditët e para të pushtimit, si edhe mbi dërgimin e kurorës shqiptare drejt mbretit Viktor Emanuel III;  

📌

Foto nga ceremonia e dorëzimit të flamurit shqiptar pranë trupave italiane;  

📌

Letër që dëshmon dëmtimin e Muzeut Arkeologjik nga pala italiane gjatë pushtimit (Leon Rey drejtuar Presidentit të Akademisë së Arteve të Bukura në Paris);  

📌

Kujtimet e Mehdi Frashërit për periudhën para dhe pas pushtimit italian;

📌

Informacion nga Legata Italiane mbi kërkesën e palëve britanike dhe franceze që Shqipëria të bëhej pjesë e një pakti ballkanik;  

📌

Informacion për vizitën e konsullit Gjerman pranë misionit ushtarak Gjerman në Tiranë (1940);  

📌

Formimi i qeverisë Mitrovica (bisedime parlamentare 04.11.43) etj.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të organizimeve të parashikuara për kremtimin e përvjetorit të çlirimit të Tiranës. Ekspozita e përgatitur nga DPA-ja do të qendrojë e hapur për të interesuarit deri në javën e ardhshme.

Hyrja është e lirë. Ju mirëpresim!