27/11/2024

Çlirimi, një betejë po aq femërore

Në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit, Drejtoria ePërgjitshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë nën okeljon “Gratë e Luftës, roli i tyre në kontekstin historik”, duke prezantuar një ekspozitë fotografike që ilustron pjesëmarrjen e të rejave në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, deputetë, historianja dhe akademikja, Prof. Dr. Valentina Duka, familjarë të dëshmorëve dhe studentë të shumtë. Në fjalën e mbajtur, Bido nënvizoi nevojën e evidentimit të rolit dhe të kontributit të figurave femërore në emancipimin tërësor të vendit.

 

“Është kënaqësi që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave gjendet në aktivitetet e të gjitha festave të nëntorit të shqiptarisë. Në fakt,një prej nënshtresave të të gjitha këtyre aktiviteteve është gruaja. Lëvizja jonë Kombëtare është habitshëm e lidhur me zhvillimin e pozitës së gruas.Krahas rilindësve Jeronim de Rada dhe Naum Veqilharxhi, hasim edhe princeshën Elena Gjika, alias Dora D’Istrian. Në Kongresin e Manastirit, të 116-vjetëve më parë, dëshmuam se mes aradhës së burrave, përkundër mungesës së precedentëve në mbarë Europën, morën pjesë zonjat Filomena Bonati dhe Parashqevi Qiriazi, një ndër 30 botueset e kohës dhe diplomatja që asistoi dhe na komunikoi me shkrim punimet e Konferencës së Paqes së Parisit.

 

Në Kuvendin e Vlorës, një rol të veçantë luajti Marigo Pozio, gjithashtu botuese dhe drejtuese e shoqatave politike, që megjithatë njihet veçse si qendistarja e flamurit. Gjatë viteve të mesluftës,intensifikohet veprimtaria e grave në jetën publike, pa qenë nevoja për të bërë dallimin gjinor dhe për të shfrytëzuar retorikën e viktimizimit. Ishte pikërisht ky terren që shpuri në pjesëmarrjen e grave gjatë Luftës së Dytë Botërore”,u shpreh kreu i DPA-së.

 

Në këtë përvjetor me rëndësi historike, evokimi i kujtesës kolektive ka qenë në fokus të veprimtarisë së DPA-së, e cila është angazhuar në këtë drejtim nëpërmjet shfaqjes së filmave të kinematografisë shqiptare që trajtojnë tematikën e betejës për çlirimin e vendit, prezantimit të ekpozitave dhe publikimit të botimeve të dedikura.