28/11/2024

Dy ekspozita për të kremtuar 112-vjetorin e Pavarësisë

Në nderim të 28 nëntorit, kryedatës së historisë së kombit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit (Bashkia Tiranë), ka prezantuar sot në sheshin “Skënderbej” ekspozitën e titulluar “Të ndarë, por të pashkëputur”.

Në pikëtakimin e organizimeve festive, përfaqësues të pushtetit vendor, dashamirës të historisë, qytetarë të interesuar, prindër, fëmijë dhe bashkombas të shumtë nga Kosova, patën mundësinë të shihnin nga pranë materiale dokumentare dhe fotografike, të cilat ilustojnë rrugëtimin e mundimshëm drejt lirisë dhe kontributin e paçmueshëm të figurave me rol qendror në shtetformim.

Ndërkaq, në një nga vendodhjet më të frekuentuara të kryeqytetit, në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës, DPA-ja shfaqi ekspozitën kushtuar firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë, në radhët e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës.

Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së. Shpalosja e së kaluarës historike merr vlerë të shtuar, veçanërisht në përvjetorë me rëndësi kardinale për kombin.