18/8/2024

Ekspozitë për veshjet popullore në Kallarat

Në kuadër të festës lokale "Takim brezash", Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) shfaqi në Kallarat ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Në bashkëpunim me shoqatën "Kallarati", mes banorëve dhe emigrantëve të kthyer në vendlindje, DPA-ja bëri një rikthim përmes imazheve në larminë e kostumografisë popullore, duke përfshirë pa dallim të gjitha trevat shqiptare.

Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin foto me veshjet e prijësve fisnorë, të njerëzve të letrave, të mbrojtësve të trojeve amtare, si edhe të valltarëve dhe të fëmijëve në dy skajet e vendit, në veri dhe në jug, në Shqipërinë e mesme dhe jashtë trojeve.

Po ashtu, pjesë e ekspozitës ishte edhe një historik i shkurtër i bujtarit, Kallaratit, së bashku me zhvillimet e tij demografike ndër vite.