6/1/2025

Kalendari i aktiviteteve të DPA-së për vitin 2024

Me përfundimin e vitit 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) përmbylli një kalendar të ngjeshur aktivitetesh.

Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të saj, mblodhi në një tryezë të rrumbullakët krerët e arkivave të Ballkanit, të Europës dhe më gjerë, për të ngritur ura bashkëpunimi. Nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me simotrat e Ukrainës, të Moldavisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjes dhe Hercegovinës, për të shkëmbyer përvojat dhe dokumentet me interes të ndërsjelltë.

Prezantoi Sallën e Studimit dhe Videotekën Online, duke i sjellë arkivat në shtëpinë e çdo shqiptari. 4 muaj pas kalimit të tij në amshim, shpalosi për herë të parë për publikun dorëshkrimet e hierarkut të letrave shqipe, Ismail Kadare.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, shfaqi në Kinemanë e Hapur dhe në "Auditor" 12 filma të kinematografisë shqiptare, për t'i njohur të rinjtë me betejën e të parëve, si edhe zhvilloi konkursin "Dokumenti im" mes nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, për të evokuar të shkuarën në mënyrë zbavitëse.

Mbajti me dhjetëra ekspozita në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, mbi figura, ngjarje dhe përvjetorë me rëndësi në historinë kombëtare. Çeli Këndin Arkivor të Kamenicës, të 10-in në radhë në Kosovë, në vazhdën e nismës për të shërbyer në çdo vatër të shqiptarisë, njëjtë si në Tiranë.

Në vazhdën e një tradite solide, zhvilloi Konferencën e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që mblodhi në Elbasan arkivistë e studiues nga mbarë trojet, për të lëvruar arkivistikën si shkencë të posaçme.  Prezantuam numrin e radhës të revistës "Arkivat Shqiptare" dhe 4 botime studimore mbi tematika historike. Kreu trajnime dhe u vizitua prej nxënësve dhe studentëve, të cilët u njohën me pasuritë që DPA-ja strehon dhe me proceset e saj të punës.

Besimplota në vlerësimin tuaj dhe të angazhuara në jetësimin e nismave të mëtejshme, Arkivat që frymëzojnë ju urojnë gëzuar Vitin e Ri 2025!