28/1/2025

Holokausti/ DPA prezanton një ekspozitë mbi strehimin e hebrenjëve në Shqipëri

Në tematikën e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, ka paraqitur një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi strehimin e hebrenjëve nga familjet shqiptare.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Z. Izet Mexhiti, parlamentarë të shumtë, drejtuesi i ITSHKSH-së, Z. Skënder Asani, ambasadori Z. Denion Meidani dhe përfaqësues të tjerë të trupave diplomatike. Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me të dhëna lidhur me masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore shqiptare, për të siguruar mbarëvajtjen e qendrimit të hebrenjve.

Në mesin e materialeve të përzgjedhura për ekspozim nga DPA-ja, gjendeshin:

•Korrespondenca e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me Legatat shqiptare në Londër dhe në Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri;

•Urdhëresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave mbi ardhjen dhe qendrimin e izraelitëve në Shqipëri;

•Korrespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Prefekturën Krujë mbi transferimin e hebrenjve nga një lokalitet në tjetrin etj.

Duke patur si synim promovimin e historisë unike të qendrimit të hebrenjve në Shqipëri, gjatë viteve të errëta të Luftës së Dytë Botërore, DPA-ja nënshkroi vite më parë një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin e Përkujtimit të Martirëve dhe të Heronjve të Holokaustit, "Yad Vashem".