22/11/2024

Manastir, Bido: Jemi "një" falë vizionit të elitave intelektuale

Në Manastir, aty ku u mbajtën punimet e Kongresit të vitit 1908, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) është bërë pjesë e një diskutimi të hapur me Unionin e Studentëve, me rastin e kremtimit të Ditës së Alfabetit.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Z. Izet Mexhiti, Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Z. Denion Meidani, anëtarë të përfaqësive diplomatike, si edhe akademikë të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendëskryeministri Mexhiti nënvizoi rëndësinë e zbatimit të politikave gjuhësore efikase në erën digjitale. “Identiteti i shqiptarëve është i strukturuar dhe i konsoliduar mirë. Si i tillë, ka arritur t’u rezistojë fushatave asimiluese të orkestruara ndaj shqiptarëve. Vetëdija për identitetin tonë ka qenë mjaftueshëm e fuqishme për të mos lejuar ndikimet e panumërta nga popuj dhe shtete shumë më të fuqishme. Prandaj, alfabeti si intrument për ruajtjen e gjuhës ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol thelbësor në mbrojtjen e trungut tonë identitar. Në erën e internetit është e pamundur të mos ketë ndikim nga gjuhët e huaja, por aktorët publikë duhet të bëjnë të mundur aplikimin e një politike gjuhësore efikase”, tha Mexhiti.

Në fjalën e mbajtur, Bido vlerësoi se uniteti kombëtar i dëshmuar në Kongresin  e Manastirit, është rezultat i largpamësisë së elitës shqiptare të kohës, përkundër shembujve në rajonin e Ballkanit. “Prej Manastirit, kësaj epiqendre të një prej katër vilajeteve të dikurshme, ku gëloi debati për vendosjen e alfabetit të gjuhës shqipe, ne nuk mund t’i marrim të mirëqena të drejtat që gëzojmë në ditët tona. Shqiptaria frymon njësoj me një alfabet, falë vendosmërisë së elitave intelektuale dhe politike, që në momente vendimtare kanë tejkaluar ndasitë. Si sot, 116 vjet më parë, u mblodhën këtu shqiptarë të të gjitha feve, krahinave dhe vendosën dy alfabete, duke ditur shumë qartë që njëri prej tyre do të triumfonte. Nëse çështja e alfabetit do të vendosej pas Pavarësisë, kur pjesa më e madhe e shqiptarëve mbetën jashtë Republikës së Shqipërisë, kur nuk mund të organizoheshin kongrese të tilla mbarëkombëtare, pa dyshim që do të kishte përpjekje të kombeve fqinje për të ndarë shqiptarët. Nëse Kongresi i Drejtshkrimit nuk do të ishte mbajtur në vitin 1972, nuk do kishte qenë e mundur pjesëmarrja e 87 delegatëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga komuniteti i arbëreshëve në jug të Italisë, për të vendosur bashkarisht se cila do të ishte gjuha standarte. Ndërkohë, Ballkani është plot me shembuj të kundërt”, u shpreh Bido.

Më herët, DPA-ja iu bashkua manifestimit "Ditët e Alfabetit", të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH). Ky aktivitet vendosi në qendër të punimeve të tij veprimtarinë letrare të Ismail Kadaresë, të shpalosur nëpërmjet një sërë dorëshkrimesh të tij të ekspozuara nga DPA-ja.