1/8/2024

“Plumba Perandorit” në Kinemanë Verore të DPA-së

Në vijim të nismës që synon të njohë të rinjtë me të kaluarën historike të Shqipërisë, në Kinemanë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) është shfaqur filmi shqiptar “Plumba Perandorit”.

 

Në këtë aktivitet që erdhi si fryt i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes DPA-së dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), në prani të dhjetëra studentëve, nxënësve dhe veteranëve, u ekranizua filmi i radhës që trajton temën e qendresës shqiptare për liri. “Plumba Perandorit” i regjisorit Mevlan Shanaj në vitin 1980, është realizimi i pestë kinematografik që transmetohet në Kinemanë Verore pranë DPA-së, në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit.

 

Me rastin e këtij përvjetori jubilar, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), do të shfaqen në Kinemanë Verore të DPA-së të tjera realizime filmike, në shenjë përkujtese të betëjës së të parëve për liri. Në mesin e filmave që do të transmetohen deri në mbyllje të këtij sezoni artistik në muajin nëntor, gjenden titujt: “Mëngjese lufte”, "Yjet e netëve të gjata”, “Njeriu me top”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerimmbuluar”, “I teti në bronz”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

 

Për ndjekjen e secilit prej filmave, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin falas të ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.arkiva.gov.al. Në këtë faqe, nevojitet të kryhet përzgjedhja e filmit,si edhe depozitimi i gjeneraliteteve(emër dhe mbiemër) dhe i postës elektronike.