20/8/2024

Tropojë, ekspozitë për të gjitha krahinat

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijoi në Tropojë rrugëtimin e ekspozitës “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Përmes këtij rrëfimi fotografik, të paraqitur në bashkëpunim me Bashkinë e Tropojës, DPA-ja i ofroi publikut një buqetë imazhesh me veshje popullore të të gjitha krahinave.

Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të:

-Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare);

-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut;

-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme;

-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut;

-Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve;

-Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).

Kjo ekspozitë e ka patur premierën në Gjirokastër, me rastin e edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar. Ndërkaq, është shfaqur edhe në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat dhe do të vijojë këtë tur shëtitës në qytete të tjera.