111 vjet Pavarësi/"Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë"
Në prag të 111-vjetorit të Pavarësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me stafin pedagogjik të gjimnazit “Dertliu”, ka sjellë ekspozitën e titulluar “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, drejtoresha e gjimnazit, Znj. Merita Dertliu, historianja Fatmiroshe Xhemalaj, si edhe mësues të atashuar pranë këtij institucioni arsimor. Në fjalën e tij përshëndetëse, Dr. Musaj foli për rëndësinë e shfrytëzimit të dokumenteve arkivorenga nxënësit, me qëllim mësimin e të shkuarës së lavdishme të vendit.
Në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), shpalosen të dhëna me rëndësi lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e figurave që patën rol qendror në kurorëzimin e përpjekjeve për lirinë e Shqipërisë. Mes materialeve të ekspozuara, u paraqitën dokumentet e poshtëlistuara:
-Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Shkodër për shkak të kryengritjes në zonën e mbi Shkodrës;
-Çeta e Dedë Gjo Lulit në Malësinë e mbi Shkodrës;
-Deklarimi i Pavarësisë së Tiranës;
-Foto e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës;
-Pamje nga ballkoni ku u ngrit flamuri në Vlorë;
-Foto e nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë;
-Foto të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit.
Krahas ekspozitës, një grup nxënësish kishin përgatitur këngë, vizatime, piktura dhe kumtesa mbi jetëshkrimin e secilit prej 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.
Një vit më parë DPA dhe “Dertliu”, shfaqën një ekspozitë në lidhje me strehimin e hebrenjëve nga shqiptarët. Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së, e cila qendron në bashkëpunim të vijueshëm me institucionet arsimore nga mbarë vendi për organizime me karakter didaktik.