23/11/2023

DPA në Prishtinë, Bido: Kapërcejmë kufijtë në shembullin e të parëve

Pas ndalesës në Shkup dhe në Manastir, ekspozita dokumentare dhe fotografike “Një Komb, një ABC” përfundoi turin e saj shëtitës në një tjetër qendër të shqiptarisë, në Prishtinë.

Në sajë të një fryme përbashkimi të vijueshme që synon unifikimin e shërbimit arkivor, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ka prezantuar në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, eskpozitën që nxjerr në pah përpjekjet për standartizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kryeshefi i ASHAK-ut, Bislim Bislimi, zëvendësambsadorja e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Pranvera Dibra, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik shqiptar në Kosovë, përfaqësues të institucioneve homologe dhe qytetarë.

Në fjalën e mbajtur, Bido nënvizoi se Kongresi i Manastirit dëshmoi largpamësinë e elitës politike dhe kulturore të kohës, si edhe vlerat europiane të shqiptarëve. “Është kënaqësi që gjendemi bashkë, si çdo vit, për të festuar ditët e nëntorit tonë. Të nëntorit që nis me vitin 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, vazhdon me shpalljen e Pavarësisë dhe me çlirimin e vendit. Por, Kongresi i Manastirit është kulmimi i formësimit të identitetit kombëtar. Shqiptarët nga të gjitha trevat u bashkuan dhe vendosën dy alfabete, duke ditur shumë qartë që njëri prej tyre do të triumfonte. Nëse çështja e alfabetit do të vendosej pas Pavarësisë, do t’u jepnim fqinjëve terren për të na përçarë dhe për të prodhuar identitete të veçanta. Kush nuk e kupton këtë, mjafton të shohë në rajon, rumunët në Moldavi, boshnjakët, malazezët. Në dritaren e vetme që shqiptarët kishin para Pavarësisë, u bashkuan mbi baza etnike për të arritur një vendimarrje kaq të rëndësishme, që na mundësoi që të frymojmë si ‘një’ i vetëm. Këto janë arritje të mëdha të elitës politike që tregoi vizion dhe vlerat europiane të kompromisit, të vëllazërisë fetare dhe të barazisë gjinore, me pjesëmarrjen, e Parashqevi Qiriazit me të drejta të plota në Kongres,” u shpreh kreu i DPA-së.

Mandej, Bido u ndal tek Kongresi i Drejtshkrimit, duke vlerësuar se në vazhdën dhe në shembullin e Kongresit të Mananstirit, në vitin 1972, shqiptarët u bashkuan nga mbarë trevat për të vendosur standartin e gjuhës shqipe. “Kongresi i Drejtshkrimit është rrjedhojë e Kongresit të Manastirit. Ndodhi në ditë të zeza për vendin, nga një regjim komunist, por që bëri një ‘akt të bardhë’, standartizimin e gjuhës shqipe. U vendos që të ecej para pikërisht atëherë kur mundën të vinin delegatë nga gjithë ish-Jugosllavia, arbëreshë të Italisë, pra të gjithë shqiptarët etnikë, me përjashtim të arvanitasve, për të vendosur bashkarisht mbi standartin e gjuhës tonë. Kështu, janë mbyllur debate të mëdha që do të prodhonin përçarje pas viteve ’90-të. Kjo mundëson që të mblidhemi këtu, duke respektuar kufijtë shtetërore, por duke kapërcyer kufijtë kulturorë, frymëzuar nga këta burra dhe gra”, përfundoi Bido.

Një fjalën e tij, homologu Bislimi foli për peshën e Kongresit të Manastirit, që kurorëzoi vargun e përpjekjeve të disa dekadave të rilindasve. “Përveçse vuri gurin e themelit për gjuhën e shkruar shqipe për të gjithë hapësirën shqiptare, shënoi një arritje kulmore pas vitesh e dekadash të punës të Rilindjes për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Është një nga faqet më të shndritshme, jo vetëm për kulturën, gjuhën apo shkencën, por edhe për përparimin e kombit tonë,” tha Bislimi.

Gjatë fjalës së marrë, zëvendësambasadorja Dibra vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve arkivore homologe. “Dua të përgëzoj të dyja institucionet që na kanë befasuar me bashkëpunimin në fushat e tyre, që ecën pa pengesa, me dinamizëm. Arkivat na bashkojnë sepse ruajnë historinë tonë të përbashkët. Në lidhje me Kongresin e Manastirit, më kujtohet shprehja e Bismarkut. Ai i kërkoi përfaqësuesve të Lidhjes së Prizrenit, shkruajeni gjuhën tuaj, që në të dimë kush jeni. Përndryshe, çështja shqiptare do të mbetej një shprehje gjeografike,” tha Znj. Dibra.

Mes materialeve të AQSH-së të përzgjedhura për ekspozim, gjendeshin materialet e poshtëpërmendura:

• Foto të anëtarëve të Komisionit për Çështjen e Alfabetit;

• Ndërtesa ku zhvilloi punimet Kongresi i Alfabetit në Manastir;

• Vendimet e Komisionit për Çështjen e Alfabetit me nënshkrimet e Komisionit dhe të delegatëve;

• Kujtime të Parashqevi Qiriazit për zhvillimet e punimeve të Kongresit të Manastirit.

Ky aktivitet u zhvillua me rastin e 115-vjetorit të punimeve të Kongresit të Manastirit.