Në Shkup, tok në ditët e alfabetit
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) u ankorua në Shkup për prezantimin e 5 botimeve të saj më të reja studimore.
E rikthyer si botuese pas një periudhe të gjatë mungese, DPA-ja ka sjellë për studiuesit dhe libradashësit publikime mbi periudha dhe figura të rëndësishme në historinë e vendit, si edhe mbi metodologjinë arkivore në hapësirën shqiptare.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, drejtuesi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), Skënder Asani, drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), Armando Boçe, studiues të fushave përkatëse dhe arkivistë.
Në fjalën e rastit, Bido vlerësoi bashkëpunimin e DPA-së me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe me ITSH-në në realizimin e produkteve kulturore që i përkasin të gjithë hapësirës shqiptare. “Ne funksionojmë si dy institucione homologe, bashkë me Arkivin e Kosovës dhe jemi në një komunikim të vazhdueshëm. Kjo ka kuptim sepse kur vjen fjala në fushën kulturore dhe shkencore, në institucionet që përfaqësojnë këto fusha, ne nuk mund të punojmë veçmas, sepse produktet tona i përkasin të gjithë hapësirës shqiptare. Më vjen mirë që së paku në nivelin e institucioneve kulturore, jemi vazhdimisht në aktivitete të përbashkëta, me kontribut të përbashkët. Kufijtë shtetërorë nuk janë kufijtë kulturorë të shqiptarëve. Arkivat janë burime kombëtare. Kur vjen fjala tek arkivat, AQSH nuk është vetëm i Shqipërisë. 1/3-a e dokumenteve i përkasin Kosovës. Arkivi ka një diapazon të madh, të pakufizuar në krahina, apo në kufij. 115-vjetori i Kongresit të Manastirit është një kongres i rëndësishëm për identitetin tonë kombëtar. Më vjen mirë që sa kalojnë vitet, tentativat e fqinjëve për përçarje dhe për të vënë në dyshim këto momente të rëndësishme, ranë në vesh të shurdhër. Ne i përkujtojme këto momente, jo vetëm si përkujtim, por si kontekstualizim në të sotmen të akteve të tilla patriotike.”, tha Bido.
Gjatë fjalës së marrë, Asani nënvizoi se botimi i revistës “Arkivat Shqiptare”, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, është një model sesi duhet të funksionojnë dy institucione simotra. “Sot po përfundojmë me sesionet shkencore të ditëve të alfabetit, me Arkivin e shtetit shqiptar, që e konsideroj si arkën ku mbahet identiteti kombëtar. Ky arkiv ka bërë që botimet tona të pasurohen me dokumente. Në shekullin tonë, vetëm me dokumente prezantohen ngjarjet dhe rrethanat historike. Librat që prezantohen sot kanë një rëndësi shumë të lartë historike. Revista arkivore është një produkt model se si duhet të funksionojnë dy institucione simotra, si tonat.”, u shpreh kreu i ITSH-së.
Katër prej botimeve të publikuara rishtas vijnë në trajtën e udhëzuesit rreth punës kërkimore në arkiv, e punimeve monografike ose të përmbledhjeve të dokumenteve rreth personaliteteve dhe zhvillimeve historike. Në vijim, Dr. Musaj, Myrteza Sharra, Vera Lushaj dhe Boçe referuan përkatësisht mbi: “Manual tekniko-praktik për dokumentet dhe arkivat në Shqipëri”, “Musine Kokalari në dokumentet arkivore (Përmbledhje dokumentesh)”, “Dokumente të reja arkivore për Bajram Currin” dhe “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”.
“Një botim pak ndryshe nga botimet e tjera, pasi përqendrohet vetëm në fushën e arkivistikës. Është libri më i plotë për arkivistikën bazuar në përvojën kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe në rekomandimet e Këshillit të Europës, që marrin pastaj formën e direktivave. Jep informacione, metoda teorike dhe praktike për arkivistët, për krijuesit dhe për përdoruesit e dokumentave.”, u shpreh Dr. Musaj mbi punimin e kryer nga Ivan Loli.
Mandej, studiuesi Sharra solli në vëmendje rëndësinë e trajtimit të figurës shumëpërmasore të Musine Kokalarit, duke shfrytëzuar materialin dokumentar të dhuruar nga familjarët e saj në DPA. “Figura e Musinesë është shumë e rëndëshishme në aspektin e rolit të gruas në vendin tonë. Është themeluesja e Partisë Socialdemokrate në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe viktimë e regjimit të përgjakshëm që vijoi. Një pjesë e dokumenteve, ku jam bazuar në libër, është dorëzuar nga familjarët e Musinesë në Arkivin e shtetit, sipas porosisë së saj. Këto dokumente të dhuruara iu bashkuan fondit ekzistues të Musinë në Arkivin Qendror Shtetëror. Libri është i përqendruar te pjesa e internimit, pas daljes nga burgu. Janë kujtimet gjatë kohës së vuajtjes së sëmundjes.”, tha Sharra.
“Ky libër është një përmbledhje, që do të vijojë me botimet e vëllimeve të ardhshme. Shumica e dokumenteve që përmban botohen për herë të parë. Dokumente me rëndësi janë ato që hedhin dritë mbi angazhimin e Currit në qendresën ndaj Perandorisë Osmane. Këto dokumente janë gjetur në AQSH, në Bibliotekën Kombëtare dhe në arkivat e rajonit.”, tha studiuesja Lushaj.
Ndërsa, studiuesi Boçe shpjegoi se “Dokumente mbi marrëdhëniet e PPSH me partitë dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë kampit socialist (Përmbledhje dokumentesh)”, përqendrohet në raportet politike të Shqipërisë komuniste me dy shtete europiane, të përzgjedhura jo pa qëllim. “Janë zgjedhur dy lëvizje marksiste-leniniste, të Spanjës dhe të Italisë, që kanë një dinamikë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në Spanjë, në një shtet diktatorial, lëvizjet ishin disidente, të shpërndara në Europë. Këto dy lëvizje, të kombinuara bashkë krijojnë një ide për marrëdhëniet që kryente PPSH-ja me këto grupe. PPSH-ja i përdori këto lëvizje që të shpërndante informacion, që të përhapte propagandën. Libri jep një pasqyrë të mbështetjes që PPSH-ja u bënte këtyre lëvizjeve.”, përmbylli Boçe.
Ndërkaq, në kuadër të 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit, DPA-ja shfaqi ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Një komb, një gjuhë”. Mes materialeve të përzgjedhura të AQSH-së, gjendeshin foto dhe dokumente të Kongresit të Manastirit, që nxjerrin në pah përpjekjet për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe të 32 delegatëve, të kryesuar nga poliedriku Mit’hat Frashëri.