114-vjetori i lindjes së Nënë Terezës
Me rastin e 114-vjetorit të lindjes së humanistes Nënë Tereza, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), shfaqën ekspozitën "Misionarja e bamirësisë".
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 19:00, në Auditorium-in e DPA-së, qenë të pranishëm drejtori i Inspektimit dhe Trajnimeve në DPA, z. Endrit Musaj, kreu i ITSHKSH-së, z. Skënder Asani, kryeredaktori i revistës shkencore "Drita e Gonxhes", z. Emin Azemi, zëvendëskancelari i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, Z. Dom Kreshnik Ivani, pasardhësi i familjes Bojaxhiu, Gjon Antoni, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Znj. Marinela Ndria dhe shkrimtarja, Znj. Naime Beqiraj.
Në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja dhe ITSHKSH-ja, u paraqitën materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të nobelistes, si edhe u shpalosën të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën.
Gjatë aktivitetit u promovua numri i tretë i revistës "Drita e Gonxhes" dhe në mbyllje, u shfaq një material filmik që rrëfen vokacionin e hershëm të Gonxhe Bojaxhiut drejt murgërisë dhe fillesat e angazhimit të saj në ndihmë të nevojtarëve.
Ky aktivitet u mbajt në kuadër të edicionit të katërt të manifestimit "Drita e Gonxhes", që nisi sot, më 26 gusht dhe që do të zhvillohet deri më 5 shtator, datë që shënon 8-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.