DPA ekspozon "Dorëshkrimet e Kadaresë"
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), ka çelur në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë një ekspozitë që shpalos për herë të parë dorëshkrimet e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.
Mbi 44 mijë dokumente, me dhjetëra publikime, blloqe shënimesh të hedhura gjatë procesit krijues, një roman i pabotuar, përmbledhje me poezi dhe skica, që përshkruajnë veprimtarinë letrare të pangjashme të autorit, i cili e përcolli Shqipërinë në rreth 50 gjuhë të globit, vijnë pranë publikut artdashës. Në hapjen e kësaj ekspozite ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, e bija e shkrimtarit të ndjerë, Znj. Besiana Kadare, Drejtoresha e Bibliotekës së COD-it, Znj. Jetona Koçibelli, shkrimtarë, botues, kritikë letrarë dhe gazetarë.
Në fjalën e marrë, kreu i DPA-së u shpreh se pas digjitalizimit në kohë rekord, këto dorëshkrime do të kalojnë në procesin e përpunimit dhe të restaurimit, për t'u dhënë brezava mundësinë e depërtimit në labirintin e mendimit të Kadaresë. "Është nder dhe kënaqësi që në kuadër të një viti të rëndësishëm për historinë tonë, sikurse është 80-vjetori i Çlirimit, të ekspozojmë figura që janë identitare për kombin. I tillë ishte edhe Ismail Kadare. Këto dokumente janë jo vetëm vepra të pabotuara apo thjesht drafte të veprave që më pas janë botuar, apo skica. Janë procesi krijues. Ne arrijmë që përmes tyre të shkojmë hap pas hapi në mendimin e Kadaresë, në mënyrë që të shohim që nga gjeneza deri në draftin final, labirintin e mendimit të tij. Këto dorëshkrime janë të rëndësishme edhe për studime të mëtejshme. Janë digjitalizuar brenda një jave, për të siguruar paprekshmërinë e tyre të mëtejshme. Pas këtij procesi, do i nënshtrohen përpunimit tekniko-shkencor dhe restaurimit, me qëllim që vepra e Kadaresë të jetë e përjetshme", u shpreh Bido.
Në fjalën e saj të rastit, Znj. Besiana Kadare vlerësoi ekspozitën e paraqitur, duke theksuar se këto materiale do t'u shërbejnë studiuesve, si një udhërrëfyes i kombit. "Jam shumë e emocionuar dhe e nderuar që ndodhem sot me ju. Një falenderim i veçantë dhe mirënjohje për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Z. Bido që mori përsipër përgatitjen e kësaj ekspozite kaq domethënëse, në vijim të dhurimit që familja jonë kreu pranë Arkivit të Shtetit. Jam shumë e emocionuar t'i shoh dorëshkrimet të paraqitura kaq bukur. Më vjen mirë që është ruajtur me kaq kujdes që të kenë akses brezat e ardhshëm, apo edhe studiuesit sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një shkrimtar, por një kronikë të rrugëtimit të kombit shqiptar", tha Znj. Kadare.
Mes dokumenteve të ekspozuara, publiku do të mund të shohë nga pranë fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe të bjerë në gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:
-Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;
-Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;
-Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;
-Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;
-Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar;
-Dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën;
-Dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.
Prej këtij fondi të rrallë dokumentesh, janë evidentuar edhe dorëshkrimet e veprave “Spiritus”, “Ftesë në studio”, “Darka e gabuar”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “E penguara” (Requiem për Linda B.), “Jeta, vepra dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Hijet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. “Dorëshkrimet e Kadaresë” do të qendrojë e hapur për të gjithë të interesuarit pranë COD-it deri ditën e diel, në datë 18 nëntor.
Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshje të nënshkruar me familjen Kadare.