13/11/2024

DPA kurorëzon fituesit e konkursit "Dokumenti im"

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka kurorëzuar fituesit e konkursit kombëtar të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, “Dokumenti im”.

 

Ceremonitë e vlerësimit uzhvilluan në “Auditorium”-in e DPA-së, ku ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtori i Inspektimit dhe Trajnimeve, Endrit Musaj, Drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore, Lorenc Agalliu, mësues dhe dhjetëra nxënës, të cilët kryen një retrospeksion në të shkuarën e Shqipërisë, duke shpalosur dokumente të ruajtura në arkivin e tyre familjar.

 

Kryesimin e klasifikimit për shkollat 9-vjeçare e rrëmbyen nxënësit e “Drita Pelinku”, për angazhimin në paraqitjen e dokumenteve autentike, të tejçuara brez pas brezi. Në këtë garë,triumfuan edhe nxënësit e shkollave “Pjetër Budi” dhe “Bashkim Fino”, të cilët prezantuan dëftesa, libreza, kartolina dhe dëshmi sociale, që në ansambël rindërtojnë kujtesës tonë kolektive.

 

Ndërsa, për paraqitjen më të angazhuar në garë mes shkollave të mesme, u vlerësua gjimnazi “SamiFrashëri”, që përftoi edhe vendin e parë të klasifikimit. Në vend të dytë u rendit gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ndërsa i treti në radhë, u pozicionua gjimnazi “Qemal Stafa”. Në mesin e dokumenteve të paraqitura, bënin pjesë: medalje pune, medalje përkujtimore nga Ministria franceze e Luftës, letër falenderimi nga gjenerali francez Sharl de Gol, informacion për shfrytëzimin e një banese si bazë për Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, një kopje e “Kalendarit Kombiar” të Kristo Luarasit etj.

 

Ky aktivitet u realizua falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si edhe me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar. Ndërkaq, me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja është angazhuar edhe përmes prezantimit të ekspozitave kudo nëpër Shqipëri, publikimit të albumeve fotografike, të botimeve dhe shfaqjes së filmave mbi Luftën Nacionalçlirimtare.