17/11/2024

Çlirimi i Tiranës, një rrëfenjë arkivore

Me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit (Bashkia Tiranë), paraqiti ekspozitën "Tirana në llogore".

Në shesh, në pikëtakimin e organizimeve të shumta për këtë ditë festive, dashamirës të historisë, përfaqësues të pushtetit vendor lokal, studiues, mësues,  nxënës, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe dhe dokumente, në lidhje me qendresën e Tiranës nën thundrën e pushtuesve nazifashistë, rolin e britanikëve në Shqipëri dhe mbi pasojat e pushtimit.

Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bëjnë pjesë të poshtëlistuarat:

-Foto të Durrësit në nisje të pushtimit fashist, më 7 prill 1939;  

-Informacion mbi ditët e para të pushtimit, si edhe mbi dërgimin e kurorës shqiptare drejt mbretit Viktor Emanuel III;  

-Foto nga ceremonia e dorëzimit të flamurit shqiptar pranë trupave italiane;  

-Letër që dëshmon dëmtimin e Muzeut Arkeologjik nga pala italiane gjatë pushtimit (Leon Rey drejtuar Presidentit të Akademisë së Arteve të Bukura në Paris);  -Kujtimet e Mehdi Frashërit për periudhën para dhe pas pushtimit italian;

-Informacion nga Legata Italiane mbi kërkesën e palëve britanike dhe franceze që Shqipëria të bëhej pjesë e një pakti ballkanik;  

-Informacion për vizitën e konsullit Gjerman pranë misionit ushtarak Gjerman në Tiranë (1940);  

-Formimi i qeverisë Mitrovica (bisedime parlamentare 04.11.43) etj.

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve të zhvilluara dhe të pritshme në vijim, për kremtimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.