30/8/2024

80-vjetori i çlirimit të Pogradecit

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, ka paraqitur një ekspozitë që demonstron një dimension lokal të Luftës Nacionalçlirimtare.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në sallën e Qendrës Kulturore, publiku pati mundësinë të njihej me dokumentet arkivore, që shpalosin rrugëtimin drejt çlirimit të Pogradecit nga zgjedha e huaj.

Ky aktivitet vjen në vazhdën e angazhimit të DPA-së në këtë jubile kombëtar, të shprehur përmes prezantimit të ekspozitave, publikimit të albumeve fotografike dhe të botimeve, si edhe shfaqjes së një repertori filmash pranë Kinemasë Verore, në lidhje me betejën e shqiptarëve për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist.