Ekspozita shëtitëse e DPA-së në Konispol
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka vijuar turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të mirëpritura nga publiku, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Konispolit, DPA-ja shfaqi në sheshin "Çamëria" ekspozitën, që rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare. Në këtë aktivitet, të mbajtur në kuadër të takimit të përvitshëm të brezave, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kryebashkiaku i Konispolit, Ergest Dule dhe qindra pjesëmarrës që iu bashkuan festës.
Kjo ekspozitë përfshinte edhe dokumente mbi veprimtarinë shoqërore dhe administrative të Konispolit ndër vite. Meqenëse ruan një barazpeshë krahinore, ekspozita e veshjeve popullore është shfaqur dhe mirëpritur në Gjirokastër, në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë, në Krujë, në Durrës, në Kallarat, në Tropojë, në Lin dhe në Elbasan.